Për të patur një flokë të bukur dhe të shëndetshëm.
Një flokë i bukur bën të ndihet mirë atë që e ka dhe në shumicën e rasteve nuk kalon pa u vënë re edhe prej të tjerëve. Të gjithë do të dëshironin një flokë të bukur dhe të shëndetshëm, por që floku të jetë në një gjendje të tillë (pavarësisht nëse kemi trashëguar një flokë të tillë ose jo), një rol të veçantë luan edhe mënyra se si kujdesemi për të.
Floku i lyer.
Floku i lyer, është grupi i flokëve që do më shumë kujdes. Mbas lyerjes, floku nuk është asnjëherë në gjendjen e mëparshme, pavarësisht nga kujdesi që tregon tekniku i bojës (parukjeri/ja), floku ashpërsohet dhe në raste kur nuk lyhet nga një profesionist mund të pësojë dëme të mëdha të pakorrigjueshme. Pra, është mirë që flokët të lyen tek profesionisti, parukjeri apo tekniku i bojës por nëse kjo muk është e mundur, le të shohim disa tips se çfarë mund të bëjmë që t’i afrohemi pak lyerjes profesionale.
Lyerja e flokëve në kushtet e shtëpisë.
Në radhë të parë, në zgjedhjen e bojës nuk duhet të na joshë çmimi i lirë, por të kemi kujdes që boja të jetë e një firme që është e miratuar nga tregu profesionist.
Bojërat mund të jenë bimore, minerale ose të ndërthurura. Bojrat bimore nuk i mbulojnë thinjat por i lënë flokët në një gjendje “të mirë” pas lyerjes. Por ka edhe bojra natyrale si kënaja që nuk mund të punosh lehtë me to, p.sh nëse do që ta hapësh ngjyrën e flokëve, kjo është e pamundur derisa kënaja të jetë larguar krejt nga floku.
Bojërat e ndërthurura minerale nuk përdoren nga profesionistët. Flokët ku kemi përdorur bojëra minerale janë pa ndriçim, të ashpër dhe qimja këputet lehtë. Duhet të kemi kujdes që boja jonë të mos ketë dhe kripëra minerale dhe përbërje bimore për arsyet që thamë më lart.
Këshilla në rast alergjie apo djegie gjatë lyerjes së flokëve.
Boja mund të shkaktojë alergji dhe për këtë arsye bëjmë një test duke vënë mes lëkurës tonë në zonën pas veshit pak bojë të gatshme dhe presim reagimin e lëkurës për 24 orë. Në rast alergjie nuk i lyejmë flokët, por nëse alergjia shfaqet gjatë kohës së lyerjes shplahemi me ujë jo të ngrohtë, pa shampo dhe përgatisim përzjerjen e mëposhtme:
1 litër ujë
150 gr kripë gjelle
50 ml oksigjen farmacie
Bëjmë përzjerjen dhe lahemi 4 herë, nëse alergjia nuk ka shenja largimi brenda 24 orëve, i drejtohemi mjekut. Testin e mësipërm e bëjmë sidomos kur duam të lyejmë flokun për herë të parë dhe nuk e dimë se si do reagojë boja në flokët tanë. Kur lyejmë flokun për herë të parë, por edhe në vazhdim, mund të përdorim edhe ampula mbrojtëse.
Kalimet e menjëhershme nga një ngjyrë në një ngjyrë tjeter ekstreme.
Nuk sugjerohen të kalojmë në ngjyra ekstreme në lidhje me ngjyrën që kemi, sepse floku por edhe lëkura e kokës mund të pësojnë dëme të pakorrigjueshme. Brenda pak orëve mund të kemi një ngjyrë tjetër që na pëlqen dhe një luk që dëshironim por njëkohësisht mund të kemi edhe një flokë të dëmtuar, të djegur, të ashpër, pa ndriçim etj. Dëshira e madhe për ndryshim le të mos na çojë në humbjen e “thesarit” tonë, pra flokut tonë të shëndetshëm. Floku i shëndetshëm është më tërheqës sesa një ngjyrë moderne në flokë të “dobët”. Lyerjet e shpeshta të flokut nuk sjellin problem, ndërsa ndryshimet e shpeshta të ngjyrës janë të rrezikshme!
Si të mirëmbajmë flokun e lyer.
Pas lyerjes, floku duhet larë me shampo përkatëse dhe me zbutës ose ampula që janë posaçërisht për flokë të lyer që të ulet alkoliteti (përqindja e alkolit) dhe të stabilizohet pehashi (PH). Është e nevojshme një herë në 15 ditë të bëhet një maskë hidratante dhe sidomos herë pas here të priten majat e flokëve. Flokun duhet ta lajmë me një shpeshtësi jo më të vogël se 1 herë në 2-3 ditë. Duhet ta shplajmë në fund me ujë të vakët në të ftohtë për të mos i humbur ndriçimi. Floku i lyer duket më bukur gjithmonë kur është i krehur por kujdes sepse temperatura e “lodh” dhe shkëlqimi ikën shpejt.
Shpresojmë të jeni ndihmuar sadopak në çështjen e “krifës së luanit”, e themi këtë sepse edhe luani që shquhet për fuqinë dhe forcën e tij, krifa i shton forcës së tij bukurinë dhe e bën atë mbret!
Përgatiti për Bukuri.com Blerina Aliaj
2 comments on “Si të kujdesemi për flokun e lyer”