Bukuri.com

Per Trupin dhe Shpirtin tuaj!

Ads

Këshilla, sekrete dhe produkte për flokët – Flokët e lyer dhe kujdesja e tyre

Ads
Këshilla, sekrete dhe produkte për flokët – Flokët e lyer dhe kujdesja e tyre

 

stor_lockig_frisyr
Siç e kemi thënë edhe herë tjetër, floku i bukur është përfundim i kujdesit tonë pa harruar të theksojmë edhe rolin që luan trashëgimia. Një nga përkujdesjet e rëndësishme është edhe larja e flokëve.
Larja e flokëve është shumë e rëndësishme si proçes si p.sh temperatura e ujit, lëvizja e duarve dhe e mollëzave të gishtave mbi lëkurë dhe flokë, por pjesa më e rëndësishme e larjes është zgjedhja e produkteve dhe mënyra e përdorimit të tyre.

Le të fillojmë me larjen si proçes

Përpara larjes, flokët është mirë t’i kemi krehur (aq sa është e mundur). Uji duhet të jetë i ngrohtë por as i nxehtë dhe as i ftohtë. Lagim të gjithë sipërfaqen e kokës ku kemi flokë, pasi kemi hedhur në pëllëmbën e dorës një masë të kënaqshme shampoje (në varësi të dëndësisë dhe gjatësisë së flokëve), e vendosim me dorë në tre pjesë të kokës; përpara dhe afër veshëve, por asnjëherë nuk e hedhim shampon direkt në kokë prej shishes, sepse mund të krijohen probleme në lëkurë dhe rënie e flokëve në atë vend.

Shkumëzojmë duke prekur lëkurën e kokës me mollëza dhe me pëllëmbët tona flokun për së gjati. Asnjëherë nuk përdorim ujë të nxehtë dhe thonj gjatë larjes sepse kjo sjell si përfundim vajosje të flokut dhe një irritim të lëkurës dhe kurrsesi nuk ofron një pastrim më të mirë. E bëjmë këtë proçes zakonisht dy herë dhe pastaj e shplajmë me ujë të bollshëm. Në rast kur nevojitet kremi balsam, e vendosim atë në flokë larg rrënjës dhe deri tek maja e flokëve dhe e shplajmë me ujë të bollshëm dhe të vakët. Është mirë që floku të mos lahet përditë, përjashtohen rastet kur floku është i ekspozuar në tym ose në ambjente të tjera me ajër të ndotur.

blandi_expertadvice_a_a

Zgjedhja e produkteve

Zgjedhja e produkteve për larje bëhet në varësi të tipit të flokëve, lëkurës por edhe të shpeshtësisë së larjes. Floku mund të jetë i hollë dhe pa volum dhe në këtë rast shampoja jonë duhet të mos ketë shumë përbërës zbutës, të cilët, e “rëndojnë” flokun dhe nuk i japin atij volum. Zakonisht shampot e tilla janë të tejdukshme dhe nuk kanë pamjen e “qumështit kremoz”. Kur floku është i ashpër përveç shampos përkatëse përdorim edhe zbutës, i cili, mund të jetë krem ose lëng. Zakonisht kremi shplahet ndërsa produktet në formë lëngu nuk shplahen dhe vendosen mbas larjes dhe krehjes kur floku është akoma i butë. Për flokët kaçurrel dhe me onde, kohët e fundit kanë qarkulluar në treg shampot përkatëse. Është mirë të përdoren, por përfundim më të mirë do të kemi nëse mbas larjes vendosim mbi flokë një produkt që nuk shplahet, i cili ndihmon ondet dhe kaçurrelat të mos humbasin elasticitetin e tyre. Kur ne humbasim formën e kaçurrelave të mos mendojmë se kjo është si pasojë e një shampoje të gabuar, kjo ka të bëjë me një ndryshim hormonal të trupit tuaj dhe nga përdorimi i teknikave të ndryshme si kolorim, dekolorim, permanant etj.
Përsa u përket flokëve të punuar me mënyra teknike si kolorimi, dekolorimi, fije ose permanant, gjithmonë marrim parasysh natyrën e tyre dhe u bëjmë përkujdesjen e duhur. Ky grup flokësh, mbulohet nga shumëllojshmëria e shampove, të cilat janë të ndara sipas ngjyrave dhe reflekseve të ndryshëm. Këto shampo janë të pasura me disa përbërës që e “mbyllin” ngjyrën (krijojnë një shtres mbrojtëse rreth fijes së flokut që nuk lejojnë që ngjyra të zbehet) dhe ruajnë shkëlqimin për një kohë më të gjatë sesa shampot e thjeshta. Gjithashtu ky grup flokësh, kanë si nevojë të domosdoshme kremin balsam, pavarësisht nga gjendja e tyre fillestare. Gjithmonë e shplajmë kremin me ujë të bëllshëm të vakët në të ftohtë. Shplarja me ujë të ftohtë (aq sa mund ta durojmë) bënë që floku të ndriçojë më shumë dhe të jetë i shkrifët. Për ato që e lajnë flokun shpesh, është mirë që të marrin shampo për larje të shpeshta. Këto shampo janë prej një përbërje kimike të tillë, që nuk i bëjnë dëm lëkurës dhe as qimes, pavarësisht nga përdorimi i shpeshtë.

44228

Floku me yndyrë siç jemi mësuar të themi, në fakt yndyra i takon lëkurës dhe jo qimes, sepse qimja jashtë lëkurës është vetëm shtresa keratini dhe nuk mund të prodhojë yndyrë, duhet larë me shampon përkatëse dhe shpeshherë. Në rast yndyre të pakontrollueshme na duhet të drejtohemi tek mjeku i lëkurës, sepse kjo yndyrë nuk shkaktohet nga faktorë të jashtëm por vjen nga brenda organizmit tonë.
Po ashtu edhe flokët me zbokth, i cili mund të jetë zbokth i thatë ose dhe i vajosur dhe pse parukjerët profesionistë mund të ofrojnë si zgjidhje shampo përkatëse, kur problemi nuk përballohet, ne i drejtohemi mjekut të lëkurës ose endoksinologut. Parukjerët profesionistë mund të mirëmbajnë flokët dhe lëkurën por jo tu japin shërim gjendjeve patologjike të flokut dhe të lëkurës.

Një tjetër përkujdesje që e kanë nevojë të gjithë tipet e flokëve është maska.

Maskat nuk përdoren si kremi balsam, i cili është thjesht zbutës. Maska vihet pas larjes në flokë të butë, e kalojmë që nga rrënja deri tek majat dhe e mbështjellim me selofon dhe peshqir të ngrohtë. Ndjekim udhëzimet e kompanisë që shkruhen sipër produktit. Zakonisht shplahen me ujë të vakët në të ftohtë. Një teknologji më e përparuar e maskave janë të shumëllojshme dhe përdoren edhe për disa arsye më tepër sesa maskat e thjeshta. Gjithmonë duhet të ndjekim udhëzimet shoqëruese për çdo produkt.

conditioner

Një produkt tjetër i rëndësishëm për flokët në larje dhe pas saj janë produktet anti-friz.

Këto përdoren zakonisht tek flokët kaçurrelë por edhe në flokë të tjerë që me lagështirën ndryshojnë pamjen e tyre duken si të gufuara dhe të elektrizuara. Ka shampo të tilla, por më të zakonshme janë solucione lëngje “leave-in” që i vendosim në flokë mbasë larjes dhe nuk i shplajmë, ose i vendosim mbasi i kemi tharë flokët dhe i kemi krehur ato.
Produkte të tjera mirëmbajtjeje të rëndësishëm janë dhe silikoni me metaksin (mëndafshin). I vendosim pas larjes në flokë të butë (ose njërin produkt ose tjetrin) përpara se t’i thajmë ose t’i krehim, por edhe pas krehjes. Përveç zbutjes ofrojnë dhe mbrojtje nga temperatura e tharëses, ruajnë majat që të mos ndahen dhe ushqejnë flokun nga jashtë dhe i japin shkëlqim.
Të gjitha sa thamë më lartë duhet t’u shtojmë dhe kujdesin e të zgjedhurit të produkteve duke patur shume kujdes. Nuk duhet të bëhemi pre e reklamave por as edhe të çmimeve të ulëta!!! Ka kompani që janë garant për produktet e tyre dhe konkurrenca është gjithmonë në të mirën tonë. Parukjeri ose parukjerja jonë mund të na këshillojnë për zgjedhje sa më të mira dhe në parukeri ka gjithmonë produkte më profesionale por edhe në tregun masiv ka emra kompanish të besueshme. Provoni dhe mbani më të mirën për flokun dhe xhepin tuaj.

Floku i shëndoshë në trup të shëndoshë!

Përgatiti për  Bukuri.com B. Aliaj

2 comments

  • a eshte shampo e mire garnier oleo repair per floket kacurrela
    , faleminderit per keto faqe kaq interesante

    Reply
    • Pse repair?

      Per floket kaçurrela mund te perdoresh:
      Garnier Ultra Dolce.
      Linja Sunsilk – shampoo balsamo dhe krema.
      Linja Moroccanoil per floket kaçurrel.

      Reply